PBC Academy ndan certifikata për 50 nxënës të SHML “Gjin Gazulli” në Prishtinë
U mbajt ceremonia e ndarjes së certifikatave për 50 nxënësit e SHML “Gjin Gazulli” në Prishtinë, të cilët kanë ndjekur praktikë profesionale në fushën e programimit për tetë javë rresht në PBC Academy.
“Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) është industria më e kërkuar aktualisht në gjithë botën, andaj si kompani po punojmë fuqishëm që të krijojmë sa më shumë kuadro të reja”, ka deklaruar themeluesi i PBC Academy, z. Gazmend Selmani.
Sa i përket realizimit të projektit në fjalë, z. Selmani u shpreh: “Angazhimi i ekspertëve në fushën e programimit dhe ofrimi i gjithë infrastrukturës përkatëse për realizimin e këtij projekti për periudhën sa ka zgjatur praktika, kap koston financiare mbi 40 mijë euro, të cilën e ka investuar PBC Academy nga fondet vetanake”.
Në fjalën e tij në këtë ceremoni, drejtori i shkollës SHML “Gjin Gazulli”, z. Bujar Gjocaj, tha se është mirënjohës për PBC Academy për ofrimin e kushteve për mbajtjen e praktikës profesionale, duke theksuar po ashtu ua ka rritur vlerën dhe cilësinë si institucion.
“Krijimi i mundësisë për mbajtjen e praktikës në vendin e punës, na ka rritur vlerën dhe cilësinë si institucion, prandaj u jam shumë mirënjohës PBC Academy. Ne presim të kemi bashkëpunim edhe në të ardhmen, sepse kemi pasur vazhdimisht mbështejtje edhe në kompletimin e laboratorëve kur ne kemi pasur më së shumti nevojë”, deklaroi z. Gjocaj.
Nxënësit, gjatë praktikës i ka përcjellë edhe profesoresha e shkollës “Gjin Gazulli”, znj. Valbonë Gashi Dragusha, e cila PBC Academy e merr shembull që duhet ta ndjekin edhe kompanitë e tjera.
“Gjatë periudhës së praktikës kam parë për së afërmi se programerët e PBC Academy u kanë ofruar nxënësve njohuri të nevojshme dhe me konfidencë e them që fillet e karrierës së tyre nxënësit vetëm se i kanë marrë. Shkolla profesionale pa mësim në vend të punës, është si një mision i lënë në gjysmë. Faleminderit PBC Academy për këtë mundësi të artë për nxënësit tanë. Uroj që shembullin tuaj ta ndjekin edhe kompanitë e tjera”, u shpreh znj. Gashi-Dragusha.
Një storie e suksesit pas marrjes së praktikës u dëshmua edhe në këtë ceremoni, ku njëri nga grupi i nxënësve prezantuan krijim e ueb-faqes së shkollës së tyre, të cilët treguan që pas marrjes së njohurive në praktikë dhe me ndihmën e ekspertëve të PBC Academy ia dolën ta dëshmojnë suksesin e tyre.
PBC Academy, përveç edukimit profesional, trajnimeve dhe zhvillimit të nismave (Startups) në TIK, gjithashtu në mënyrë në vazhdueshme po kontribuon edhe me ofrimin trajnimeve dhe hapësirave për mbajtjen e praktikës për shkollat profesionale. E gjithë kjo me misionin që sa më shumë të kontribuojë për një të ardhme më të ndritur të të rinjve tanë.